(Albanian) Konferenca, De Biazi: Do të luajmë shanset tona
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë Xhani De Biazi, ka dhënën sot pasdite, konferencën e fundit për shtyp. Në sallën e konferencave të stadiumit komunal të Alveiros, drejtuesi i pankinës kuqezi ka treguar për përgatitjet e e skuadrës tonë dhe për objektivat në ndeshjen kundër Portugalisë, të dielën në orën 20.45.
“Sigurisht, që vlerat e skuadrës portugeze janë të njohura, jo vetëm për ne por për të gjithë. Një skuadër që prodhon gjithmonë futboll. Pas zhgënjimit në Botërorin e fundit, patjetër do të jenë më të motivuar për ti nisur sa më mirë Eliminatoret”- ka vlerësuar trajneri i Shqipërisë, kundërshtarin e tonë të ardhshëm Portugalinë. Më pas, ai i është përgjigjur pyetjes në lidhje me mungesën e Kristiano Ronaldos, yllit të skuadrës kundërshtare. “Është një lojtar fantastik, vlerat e të cilit janë të njohura nga të gjithë. Mungesa e tij, krijon vështirësi për kundërshtarët tanë por Portugalia mendoj, se është një skuadër e zonja për të kompesuar vlera të tilla, sado të rëndësishme të jenë”. Në lidhje me mënyrën e lojës së skuadrës kombëtare të Shqipërisë dhe objektivat e saj, trajneri De Biazi është përgjigjur: “Ne kemi ardhur këtu për të zhvilluar lojën tonë dhe për të provuar shanset tona. E respektojmë kundërshtarin dhe vlerësojmë nivelin e tij. Por kjo, s’do të thotë se s’ kemi synimet tona. Sigurisht, nuk kemi ardhur për shëtitje. Do të mundohemi të mos gabojmë në veprimet mbrojtëse dhe do të tentojmë të godasim kundërshtarin”.
Pyetjes në lidhje me zgjedhjen taktike të Shqipërisë apo për mundësinë e saj të mbylljes në mbrojtje, ndaj një kundështari si Portugalia, De Biazi ju përgjigj: “Në momente të caktura të ndeshjes, kur presioni i kundërshtarit vjen duke u rritur, nuk përjashtohet mundësia për tu mbyllur dhe krijuar sa më pak hapësira për kundërshtarin. Por ky, nuk do të jetë synimi ynë. Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të goditur dhe për të arritur objektivat tona”- paralajmëroi, duke mbyllur konferencën për shtyp, trajneri i Shqipërisë Xhani De Biazi.
Kundër Portugalisë të dielën, do të jetë ndeshja e parë e skuadrës kombëtare të Shqipërisë, në kuadrin e Eliminatoreve të Kampionatit Europian “Francë 2016”. Ndeshjen e ardhshme, Shqipëria do ta luajë kundër Danimarkës, më 11 tetor në “Elbasan Arena”.